Është ndarë nga jeta aktorja dhe producentja e njohur Zeudi Araya. Lajmi u konfirmua nga familja e saj, e cila bëri të ditur se artistja u shua në banesën e saj pas një sëmundjeje të gjatë.
E lindur më 10 shkurt 1951 në Dekamere të Eritresë, Zeudi Araya u bë e njohur fillimisht si “Miss Eritrea” në moshën 18-vjeçare. Pak kohë më vonë, një udhëtim në Romë për realizimin e një reklame i hapi dyert e botës së kinemasë, duke e kthyer në një nga figurat më të njohura të ekranit italian gjatë viteve ’70.
Araya interpretoi në një sërë filmash të suksesshëm, duke fituar popullaritet të madh te publiku. Mes roleve të saj më të njohura janë ato në filmat “Il Signor Robinson”, ku luajti përkrah Paolo Villaggio, “Giallo Napoletano” me Marcello Mastroianni dhe “Tesoromio”, së bashku me Johnny Dorelli, Sandra Milo dhe Renato Pozzetto.
Në vitin 1983 ajo u martua me producentin e njohur Franco Cristaldi. Pas vdekjes së tij në vitin 1992, Araya iu përkushtua më shumë fushës së produksionit kinematografik dhe televiziv.
Gjithmonë e rezervuar ndaj jetës publike, ajo vazhdoi aktivitetin në prapaskenë, duke kontribuar në projekte të ndryshme artistike. Nga lidhja me regjisorin Massimo Spano lindi djali i saj, Michelangelo, i cili njoftoi publikisht lajmin e hidhur.
Në një deklaratë, familja falënderoi të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe kërkoi respektimin e privatësisë. Ceremonia mortore pritet të zhvillohet në ditët në vijim në një rreth të ngushtë familjar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)