Me rritjen e temperaturave dhe afrimin e verës, mushkonjat po bëhen gjithnjë e më shqetësuese për qytetarët. Ndërsa shumë njerëz përdorin spërkatës apo pajisje elektrike kundër insekteve, në Japoni vazhdon të përdoret një metodë tradicionale që ka dëshmuar efektivitet prej më shumë se një shekulli.
Bëhet fjalë për spiralen kundër mushkonjave, një lloj temjani i veçantë i prodhuar nga pluhuri i tharë i piretrumit, një bimë e njohur për vetitë e saj insekticide. Spiralja ndizet në njërin skaj dhe digjet ngadalë drejt qendrës, duke lëshuar tym që largon mushkonjat për një periudhë nga 7 deri në 12 orë.
Kjo metodë u zhvillua në vitin 1895 nga japonezi Eiichiro Ueyama dhe bashkëshortja e tij Yuki. Fillimisht produkti kishte formën e shkopinjve të hollë që digjeshin për rreth 40 minuta, por më vonë Yuki sugjeroi krijimin e formës spirale, e cila zgjati ndjeshëm kohën e përdorimit.
Sot, spiralet kundër mushkonjave përdoren gjerësisht jo vetëm në Japoni, por edhe në vende të Azisë, Afrikës, Australisë dhe Amerikës së Jugut. Popullariteti i tyre lidhet me thjeshtësinë e përdorimit dhe mbrojtjen afatgjatë pa pasur nevojë për pajisje të ndërlikuara.
Përveç metodës japoneze, ekspertët sugjerojnë edhe disa alternativa natyrale për largimin e mushkonjave. Vajrat esencialë si citronela, livanda, eukalipti dhe rozmarina konsiderohen mjaft efektivë. Gjithashtu, qirinjtë aromatikë me citronelë, bimët si borziloku, menteja dhe dafinat, si dhe kombinimi i limonit me karafilin, mund të ndihmojnë në mbajtjen larg të insekteve.
Specialistët theksojnë se kombinimi i disa metodave natyrale mund të jetë një zgjidhje efektive për të reduktuar praninë e mushkonjave gjatë muajve të nxehtë të vitit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)