Një ngjarje e rëndë ka tronditur Meksikë, ku një adoleshent 15-vjeçar qëlloi për vdekje mësuese të një shkolle të mesme në perëndim të vendit.
Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi të martën në shkollën “Makarenko” në qytetin bregdetar Lázaro Cárdenas. Forcat e policisë, pasi morën njoftimin për të shtëna me armë, gjetën brenda ambienteve të shkollës dy gra të pajeta dhe arrestuan një të mitur të dyshuar si autor.
Prokuroria e shtetit Michoacán bëri të ditur se në vendngjarje u sekuestrua një armë zjarri e tipit 5.56 mm me karikator. Identiteti i të riut nuk është bërë publik për shkak të moshës së tij.
Sipas raportimeve mediatike, i dyshuari kishte mbërritur me vonesë në shkollë dhe nuk ishte lejuar të hynte në klasë, çka dyshohet të ketë qenë shkaku i menjëhershëm i reagimit të tij të dhunshëm.
Viktimat janë identifikuar si Maria del Rosario, 36 vjeç, dhe Tatiana, 37 vjeç, të dyja pjesë e stafit të shkollës.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se para sulmit, adoleshenti kishte publikuar në rrjetet sociale video dhe foto ku shfaqej me armën e përdorur. Në disa prej postimeve, ai kishte shpërndarë materiale të lidhura me subkulturën “incel”, e njohur për qëndrime ekstremiste dhe urrejtje ndaj grave dhe feminizmit.
Një nga videot e publikuara përmbante referenca ndaj sulmeve të tjera në shkolla, ndërsa në një tjetër postim shfaqej figura e Charles Manson, një nga kriminelët më famëkeq në historinë amerikane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)