Pas zgjerimit të suksesshëm në rajonin e Ballkanit, Newsmax po vazhdon shtrirjen në Europë me lançimin e kanalit të ri informativ Newsmax Polska, i cili pritet të nisë transmetimet gjatë muajit qershor.
Kanali i ri do të sjellë në tregun polak një format mediatik të frymëzuar nga modeli amerikan i raportimit, në një kohë kur media në Poloni konsiderohet tejet e ngarkuar dhe e polarizuar politikisht.
Ky projekt shihet jo vetëm si hyrje në një treg të ri, por edhe si pjesë e strategjisë më të gjerë të kompanisë për zgjerimin e gazetarisë moderne me qasje amerikane në Europë.
Newsmax, kompani mediatike me afro tre dekada eksperiencë në Shtetet e Bashkuara, më herët u zgjerua në Ballkan. Ndërkohë, portali online i Newsmax Polska funksionon prej më shumë se një muaji, ndërsa televizioni pritet të nisë transmetimin shumë shpejt.
Gazetari Stanislaw Jeglinski nga Newsmax Polska deklaroi se pritshmëritë janë të mëdha, sidomos në një vend si Polonia, ku klima politike shpesh krijon ndarje të forta në raportimin mediatik.
“Duam të gjejmë mesin e artë në raportim. Shpresojmë të sjellim ndryshim pozitiv dhe t’u ofrojmë njerëzve lajme reale”, u shpreh ai.
Sipas tij, në ceremoninë hapëse pritet të marrin pjesë rreth 200 të ftuar, përfshirë diplomatë, përfaqësues të biznesit dhe organizatave mediatike nga Polonia dhe Ballkani.
Jeglinski vlerësoi edhe bashkëpunimin me ekipin e Newsmax Balkans, duke theksuar se shkëmbimi i eksperiencave ka ndihmuar ndjeshëm në zhvillimin e projektit të ri mediatik.
Qëllimi i Newsmax Polska, sipas drejtuesve të saj, është të kthehet në një zë të njohur mediatik dhe të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë moderne europiane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)