Një talent rrezikon të nxisë debatet mes Shqipërisë dhe Kosovës, u ftua te U-21 pa dhënë miratimin

Sipas deklaratave të futbollistit 20-vjeçar të Moldes, Blerton Isufi është përfshirë në skuadrën Shpresa, edhe pse nuk ka dhënë konfirmim për pranimin e ftesës.

28.05.2026. 21:52

Një talent rrezikon të nxisë debatet mes Shqipërisë dhe Kosovës, u ftua te U-21 pa dhënë miratimin

Përfshirja e futbollistëve të talentuar nga të gjitha trojet në radhët e Kombëtares rrezikon të nxisë një tjetër debat të ashpër mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shkak në këtë rast mund të bëhet lista më e fundit e publikuar nga trajneri i përfaqësueses së 21-vjeçarëve, Alban Bushi.

Në ekipin për miqësoret e Shpresave me bashkëmoshatarët e Sllovenisë dhe Italisë, ishte përfshirë edhe Blerton Isufi. Talenti i Moldes është grumbulluar në të kaluarën nga skuadra e 21-vjeçarëve të Kosovës dhe u mendua se do të ishte një prej risive të Shqipërisë. Por, situata ka ndryshuar.

Sipas “Telegraf”, prapaskenat e kësaj çështje tregojnë një histori tjetër. Është e vërtetë që pas aktivizimit te gjigantët norvegjezë, Isufi është kontaktuar nga skautë të FSHF-së në Skandinavi, por edhe nga vetë trajneri Alban Bushi. Megjithatë, ai nuk kishte dhënë një përgjigje përfundimtare nëse do të luante për Shqipërinë.

Madje, në Kosovë pretendojnë se lojtari është përfshirë në skuadër, edhe pse nuk ka dhënë konfirmim për pranimin e ftesës. “Po, është e vërtetë që më kanë kontaktuar disa herë, por unë nuk i kam dhënë përgjigje pozitive. E kanë kontaktuar edhe babanë tim”, deklaroi Isufi për “Telegraf”. “Unë jam futbollist i Kosovës dhe do të vazhdoj të luaj vetëm për vendlindjen time. Nuk do të luaj kurrë për asnjë Kombëtare tjetër përveç Kosovës”, shtoi Blerton Isufi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)