Në mbyllje të sezonit të rregullt, Kukësi kishte rënë në Kategorinë e Dytë. Ajo ishte pasoja e një sezoni të dobët dhe larg pritshmërive. Por, rënia e Bylisit në Kategorinë e Parë, u shoqërua me një seri ngjarjesh të paprecedenta, që i dhanë very-lindorëve një tjetër shans.
Ekipi i Bylis B nuk mund të luante në të njëjtën kategori me skuadrën A, duke lënë një vend bosh. Për këtë situatë të krijuar, u zhvillua ndeshja “play-out” ndërmjet Kukësit dhe Butrintit, skuadra që gjatë sezonit kishin pësuar humbje me Bylis B. Aty do të përcaktohej se cili prej dy ekipeve do të plotësonte përbërjen e Kategorisë së Parë.
Kukësi ka arritur të mbajë vendin në Kategorinë e Parë pas një përballjeje të fortë dhe të tensionuar ndaj Butrintit, në duelin që vendosi fatin e një vendi të mbetur vakant në kampionat. Ndeshja u vendos nga dy gola në secilën pjesë të lojës. Kukësi kaloi në avantazh në minutën e 40-të me rrjetën e Alison, ndërsa vetëm pak sekonda pas nisjes së pjesës së dytë, Tajo dyfishoi shifrat, duke i dhënë një goditje të fortë shpresave të Butrintit.
Me këtë fitore, Kukësi siguron qëndrimin në Kategorinë e Parë, ndërsa Butrinti bie një kategori më poshtë. Gjithashtu, me përfundimin e sfidës “play-out”, është kompletuar edhe lista e skuadrave që do të garojnë në Kategorinë e Parë për edicionin 2026-2027 në futbollin shqiptar.
Kukësi mbetet në këtë nivel së bashku me Pogradecin, Ilirinë, Besën, Kastriotin, Burrelin dhe Korabin. Nga Kategoria Superiore zbritën Bylisi dhe Flamurtari, ndërsa nga Kategoria e Dytë u ngjiten Besëlidhja, Oriku dhe Sopoti, duke kompletuar kështu kuadrin e ri të kampionatit me 12 skuadra.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)