Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është rikthyer edhe njëherë çështjes së vendosjes së një minimumi jetik në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si emergjencë, për shkak të situatës së vështirë ekonomike me të cilën po përballen shumë shqiptarë.
Gjatë një takimi me departamentin për Çështjet Sociale në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka folur dhe për pensionistët, duke i cilësuar ata si shtresën me të keqtrajtuar në vend.
“Nuk ka njerëz më të keqtrajtuar, më të shpërfillur se pensionistët shqiptarë, gjë të cilën nuk e meritojnë kurrë këtë. Edhe ata, të cilët jo vetëm që nuk u rriten pensionet, por edhe ata që mbaheshin dhe mbahen me ndihmën e familjarëve të tyre jashtë shtetit, edhe atyre 35% të parave ua mori droga sepse e zhvlerësoi euron.
Në rast se do të respektohej trendi i ndërmarrë në vitet 2005-2013, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, ato duhet të ishin sot të paktën tre herë më të mëdha se sa ç’janë. Duhet të ishin tre herë më të mëdha se sa ç’janë!
Pra, kjo është një situatë ku sirenat e urisë bien në të katër anët e vendit dhe këta qeveritarë kanë një përgjigje: në Shqipëri nuk vuan kush për bukë.
Po t’i dëgjosh, kjo është përgjigja e tyre për ata të cilët e ngrysin ditën me 2 euro apo ata të cilët e ngrysin ditën me më pak se 5 euro.
Në të vërtetë, ata janë në varfëri të thellë, kurse të tjerët janë thellësisht të kërcënuar nga varfëria.
Në këto rrethana, PD ka shpallur dhe qëndron për vendosjen e minimumit jetik. Minimumi jetik është përgjigjja më minimale, më e domosdoshme, më emergjente ndaj kësaj situate të krijuar këto 13 vite.
Vetëm me minimumin jetik, duke garantuar për çdo qytetar të këtij vendi jo më pak se 200 euro, pra një minimum jetik prej 200 eurosh, do mund të krijohet, të ndryshohet situata e dhimbshme në të cilën ndodhemi sot. Nuk ka asnjë pengesë për vendosjen e minimumit jetik. Dhe minimumi jetik nuk mund të jetë përgjigjja e vetme ndaj kësaj situate”, tha Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)