Krisja e Donald Trump me aleatët e NATO-s, të cilët kanë refuzuar t’i bashkohen operacioneve ushtarake kundër Iranit duket e thellë dhe këtë e tregon mënyra si Presidenti amerikan ironizoi homologun francez Emmanuel Macron, në fjalimin e fundit.
Pasi goditi Britaninë e Madhe duke thënë se “nuk kanë as flotë”, Trump u mor personalisht me çiftin Macron, duke rikthyer në vëmendje pamjet e videos së publikuar në maj 2025, ku Brigitte Macron dukej sikur qëllonte me shuplakë presidentin francez pak para se të zbrisnin nga avioni presidencial në Vietnam.
Sulmi i Trump erdhi pas qëndrimit të Emmanuel Macron për luftën me Iranin, në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, ku ai përsëriti se "lufta do të vazhdojë për 2-3 javë të tjera".
“E thirra Francën, Macron - gruaja e tij e keqtrajton, ai ende e kujton shuplakën që i dha ajo", tha Trump duke shkaktuar të qeshura tek të pranishmit.
Pas këtij konstatimi, Trump vazhdoi duke thënë: “I thashë, ‘Emmanuel, do të donim të na ndihmonit në Gjirin Persik, edhe pse kemi një rekord të shkatërrimit të të këqijve dhe raketave balistike. Do të donim të na vinit në ndihmë. Nëse mundesh, a mund të dërgosh anije menjëherë?’ Ai më tha, ‘Jo jo jo, nuk mund ta bëjmë këtë, Donald. Mund ta bëjmë këtë pasi të fitohet lufta’, dhe unë i thashë, ‘Jo jo, nuk kam nevojë për to pasi të fitohet lufta, Emmanuel.’”.
Duke iu referuar qëndrimit të Francës si aleat i SHBA-ve dhe në NATO , presidenti amerikan tha se "nuk kishim nevojë për ta, por unë i kërkova gjithsesi".
“Kështu mësova për NATO-n. NATO nuk do të jetë atje nëse ndonjëherë do të kemi NATO-n e madhe, e dini çfarë dua të them me atë të madhen”, tha Trump, pa dhënë më tepër hollësi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)