Një 20-vjeçar nga Florida është arrestuar dhe akuzuar për kërcënim me jetë ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi dyshohet se publikoi një mesazh kërcënues në rrjetet sociale, të shoqëruar me një fotografi ku shfaqej duke mbajtur një armë.
Sipas autoriteteve federale, Nick Guadalupe Cruz-Lopez, banues në Plant City, u akuzua zyrtarisht për kërcënime ndaj presidentit. Departamenti i Drejtësisë bëri të ditur se kërcënimi ndaj presidentit përbën një vepër penale që dënohet deri në pesë vite burg.
Në dokumentet gjyqësore thuhet se Shërbimi Sekret mori një njoftim urgjent nga kompania Meta më 2 prill, lidhur me një përdorues në Instagram me emrin “813.cruzz”. Ky përdorues dyshohet se publikoi frazën “Rrugës për të kryer një veprim”.
Postimi përfshinte gjithashtu një imazh të individit duke mbajtur një armë të tipit AR-15 brenda një automjeti. Hetuesit thanë se Meta siguroi edhe të dhëna për vendndodhjen, që e lidhin postimin me zonën e St. Pete Beach në Florida. Të dhënat automatike të targave konfirmuan praninë e automjetit të Cruz-Lopez në atë zonë gjatë së njëjtës ditë, shkruan Newsmax.
Agjentët federalë arritën të identifikojnë të dyshuarin përmes të dhënave të abonimit dhe telefonit celular, duke e gjurmuar deri në banesën e tij në Plant City, pranë Tampa. Hetime të mëtejshme në rrjetet sociale ndihmuan në konfirmimin e identitetit të tij.
Gjykata vendosi lirimin e tij me kusht, kundrejt një garancie prej 250 mijë dollarësh. Ndërkohë, rasti vjen në një kohë kur autoritetet amerikane po përballen me disa çështje të ngjashme kërcënimesh ndaj presidentit. Vetëm javën e kaluar, një tjetër person nga Massachusetts u akuzua për postime kërcënuese ndaj Trump në Facebook.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)