Një tjetër tragjedi e rëndë ka ndodhur në Mesdheun qendror. Sipas organizatës joqeveritare “Sea-Watch”, 116 persona kanë humbur jetën pasi anija me të cilën udhëtonin u mbyt. Kjo përfaqëson një nga ngjarjet më të rënda të vitit 2025.
Nga anija raportohet se ka mbijetuar vetëm një person, i cili është shpëtuar nga një peshkatar tunizian. I mbijetuari ka treguar se vetëm pak orë pas nisjes, kushtet e motit u përkeqësuan ndjeshëm, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 40 km/h. “Emigrantët ishin nisur të enjten e kaluar dhe të hënën i kemi kërkuar me avion. Tashmë është konfirmuar mbytja e anijes, e cila ka ndodhur pak pas nisjes,” thuhet në deklaratën e “Sea-Watch”.
Sipas organizatës Alarm Phone, ekziston frika se mbytja e anijes ka ndodhur gjatë natës së 19 dhjetorit. Rreth orës 14:00 të asaj dite, autoritetet u informuan për një mjet lundrues që ishte nisur nga Zuwara, qytet-port në Libi, mbrëmjen e 18 dhjetorit, me 117 persona në bord.
Organizata deklaron se ka tentuar vazhdimisht të kontaktojë anijen përmes telefonit satelitor, por pa sukses. “Ne kemi njoftuar rojet bregdetare dhe organizatat përkatëse, edhe pse nuk kishim një pozicion të saktë. Gjatë gjithë ditës kemi vazhduar përpjekjet për kontakt, por pa rezultat,” thuhet në komunikatë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)