Zelensky merr garanci nga liderët europianë para takimit me Trump

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka siguruar mbështetje të fortë nga liderët europianë dhe NATO gjatë një videokonference të zhvilluar në prag të takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump.

Burimi: BBC

27.12.2025. 22:25

Zelensky merr garanci nga liderët europianë para takimit me Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një videokonferencë të rëndësishme me liderë europianë dhe partnerë ndërkombëtarë, në prag të takimit të tij të paralajmëruar me presidentin amerikan Donald Trump, duke marrë garanci të forta për vazhdimin e mbështetjes politike, financiare dhe strategjike ndaj Kievit.

Sipas mediave ndërkombëtare, Zelensky u lidh përmes videotelefonatës me 11 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane, si dhe me përfaqësues të Kanadasë, ndërsa në bisedë mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Qeveria gjermane bëri të ditur se liderët pjesëmarrës riafirmuan mbështetjen e plotë për Ukrainën, duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara mbetet thelbësor për arritjen e një paqeje të drejtë dhe afatgjatë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Evropian mbështet çdo iniciativë që synon një paqe të qëndrueshme, e cila garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ajo nënvizoi se gjatë vitit 2026, BE-ja do të intensifikojë presionin ndaj Kremlinit, do të forcojë mbështetjen për Kievin dhe do të vijojë përpjekjet për ta afruar Ukrainën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përmes një reagimi publik, siguroi se mbështetja e BE-së për Ukrainën nuk do të zbehet. Ai theksoi se një Ukrainë e fortë dhe e integruar në BE është kyçe për sigurinë evropiane dhe rikujtoi vendimet e fundit, përfshirë financimin me rreth 90 miliardë euro për dy vitet e ardhshme, ngrirjen e aseteve ruse dhe zgjatjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Ndërkohë, Zelensky ka zhvilluar më herët një takim në Kanada me kryeministrin Mark Carney dhe pritet të udhëtojë drejt Floridas për takimin e radhës me Donald Trump.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)