Një anëtar i Forcave të Armatosura të Greqisë është arrestuar të enjten në mëngjes, nën dyshimet se ka transmetuar informacione të klasifikuara drejt “palëve të treta”, të cilat sipas raportimeve të fundit besohet se përfshijnë Kinën. Sipas burimeve, ushtaraku dyshohet se ka përdorur programe të enkriptuara për të transmetuar të dhëna sensitive.
Raportimet fillestare flisnin më gjerësisht për një “superfuqi rivale të SHBA-së”, por hetimet po fokusohen gjithnjë e më shumë tek Kina si destinacioni i informacionit të rrjedhur. I arrestuari besohet se ka qenë pjesë e Forcave Ajrore greke dhe ka shërbyer në një pozicion stafi, si përgjegjës për sistemet e komunikimit dhe ato elektronike. Ky rol i ka dhënë atij akses në informacione tepër sekrete, përfshirë të dhëna mbi operacionet dhe lëvizjet e forcave greke dhe të NATO-s.
Burime hetimore bëjnë me dije se i dyshuari është një burrë rreth moshës 40 deri në 50 vjeç, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë publik. Ai ishte vënë nën mbikëqyrje nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës prej disa muajsh, përpara se të arrestohej. Hetuesit ndërhynë pasi konstatuan një përshkallëzim të aktivitetit të tij dhe grumbullimin e një sasie të konsiderueshme materialesh sensitive.
Ende nuk është e qartë se sa informacion është shpërndarë përpara arrestimit. Burime ushtarake e kanë cilësuar çështjen si një kërcënim serioz potencial për sigurinë kombëtare të Greqisë dhe për NATO-n. Gjithashtu, ka indicie fillestare se oficeri mund të ketë tentuar të rekrutojë persona të tjerë, megjithëse nuk është konfirmuar nëse ka ekzistuar një rrjet më i gjerë bashkëpunëtorësh.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)