Rusia e përdori për të vrarë Navalny-n, çfarë është bretkosa e shndritshme helmuese?

Bretkosa vrasëse e vogël dhe shumëngjyrëshe, është një nga kafshët më helmuese në botë dhe Rusia sipas një raporti të 5 vendeve europiane, përdori toksinat e saj për t'i shkaktuar vdekjen ish-liderit opozitar Alexei Navalny.

Burimi: TGCOM24

15.02.2026. 13:31

Rusia e përdori për të vrarë Navalny-n, çfarë është bretkosa e shndritshme helmuese?

Ish-lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny u helmua me një toksinë vdekjeprurëse. Në këtë përfundim që e shpalosën përmes një deklarate të përbashkët ditën e djeshme, arritën pesë vende evropiane.

Deklarata u hartua nga ministritë e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Suedisë dhe Holandës, të cilat deklaruan se analiza e mostrave të marra nga udhëheqësi i opozitës ruse, i cili vdiq dy vjet më parë, "konfirmuan përfundimisht praninë e epibatidinës".

Kjo është një toksinë e gjetur në bretkosat helmuese nga Amerika e Jugut dhe sipas pesë vendeve që hartuan deklaratën, "vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe përbuzjen për të drejtën ndërkombëtare" për të kryer sulmin.

Navalny, i cili kishte zhvilluar një betejë kundër korrupsionit zyrtar dhe kishte organizuar protesta masive kundër Kremlinit, vdiq në një koloni penale në Siberi në shkurt të vitit 2024.

Por Kremlini i mohoi akuzat përmes një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila e hodhi poshtë analizën e të pestëve duke e cilësuar si hamendësim.

"Kur rezultatet e testeve të jenë të disponueshme, kur formulat për substancat të jenë të disponueshme, do të ketë një koment. Pa këtë, të gjitha fjalimet dhe deklaratat do të jenë vetëm insinuata informative që synojnë të largojnë vëmendjen nga problemet urgjente të Perëndimit", tha Zakharova.

Por çfarë janë bretkosat helmuese që vranë Navalny-n?

Bretkosa vrasëse e vogël dhe shumëngjyrëshe, është një nga kafshët më helmuese në botë.

Me ngjyrat e saj të ndritshme dhe madhësinë e vogël, ajo i magjeps entuziastët e terrariumeve dhe sipas pesë vendeve evropiane, toksina e saj u përdor për të vrarë disidentin rus Navalny.

Bretkosat helmuese janë amfibë të vegjël që gjenden në pyjet tropikale të Amerikës Qendrore dhe Jugore, shumë të rrezikshme për shkak të helmit të tyre të fuqishëm. Duke qenë se i përkasin familjes Dendrobatidae dhe gjinisë Dendrobates, ato quhen "bretkosat helmuese" sepse disa popullata indigjene të Amerikës së Jugut përdorën toksinat e sekretuara nga lëkura e tyre për të helmuar shigjetat dhe tubat e fryrjes që përdoren për gjueti.

Ato nuk janë të rrezikshme nëse nuk preken, por helmi i tyre mund të shkaktojë paralizë dhe madje edhe vdekje nëse gëlltitet ose nëse bie në kontakt me plagë të hapura. Ngjyra e tyre e ndritshme shërben si paralajmërim për grabitqarët për toksicitetin e tyre.

Me sa duket, amerikanët vendas, për t'i bërë amfibët të sekretonin më shumë lëng, i mbanin afër zjarrit ose i ngulnin në fyt me një shkop, duke rritur kështu ndjenjën e tyre të rrezikut. Në të kaluarën, bretkosa e artë ishte gjithashtu e përhapur në Panama dhe në pjesë të Kosta Rikës, ku konsiderohej simbol i fatit të mire, por atje ajo u zhduk me shpejtësi në fund të shekullit të 21-të për shkak të virulencës së kërpudhave.

Ngjyra e saj mund të jetë blu elektrike, e verdhë e ndezur, e kuqe intensive ose kombinime të së zezës dhe portokalli. Lëkura e bretkosës helmuese është një spektakël i vërtetë natyror. Kjo ngjyrosje mbresëlënëse nuk është e rastësishme, por përfaqëson një shembull klasik të aposematizmit, një strategji evolucionare e përdorur nga kafshët helmuese për të paralajmëruar grabitqarët për rrezikun e tyre.

Pavarësisht famës së tyre, këto bretkosa janë të vogla. Ato mesatarisht janë 4-6 cm të gjata dhe peshojnë rreth 10 gramë. Femrat janë përgjithësisht pak më të mëdha dhe kanë një legen më të gjerë, ndërsa meshkujt kanë një qeskë vokale më të errët, e dobishme gjatë çiftëzimit.

Një shembull ikonik është Phyllobates terribilis, e njohur si bretkosa e artë. Lëkura e saj e verdhë e ndezur tregon praninë e batrakotoksinave, alkaloide steroide të afta për të bllokuar transmetimin e impulseve nervore, duke shkaktuar paralizë, dështim të frymëmarrjes dhe arrest kardiak.

Ajo konsiderohet si një nga speciet më toksike në botë, pasi sasia e helmit të pranishëm në një ekzemplar të vetëm të egër mund të jetë vdekjeprurëse për disa njerëz të rritur.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)