Komisioni Europian ka kërkuar qartësi të plotë mbi masat që Shtetet e Bashkuara planifikojnë të ndërmarrin pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme në Amerikë, e cila rrëzoi tarifat doganore me argumentin se ato ishin vendosur pa votën e Kongresit.
Në një deklaratë të shpërndarë nga Komisioni Europian, theksohet se SHBA duhet të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara. “Situata aktuale nuk favorizon realizimin e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve transatlantike ‘të drejta, të balancuara dhe me përfitime të ndërsjella’, siç është rënë dakord nga të dyja palët dhe siç është saktësuar në deklaratën e përbashkët BE-SHBA të gushtit 2025”, thuhej në komunikatën e ekzekutivit europian.
BE shton se “Komisioni gjithmonë do të sigurojë mbrojtjen e plotë të interesave të Bashkimit Europian” dhe se “bizneset dhe eksportuesit europianë duhet të mbështeten në trajtim të drejtë, parashikueshmëri dhe siguri ligjore”. “Marrëveshja është marrëveshje. Si partneri kryesor tregtar i SHBA-së, BE pret që ata të përmbushin angazhimet e tyre sipas deklaratës së përbashkët, ashtu siç BE respekton angazhimet e saj”, theksoi më tej Komisioni.
Deklarata vijon se Komisioni është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me administratën amerikane. Nga ana e SHBA-ve, Jamieson Greer ka bërë të ditur se “marrëveshjet tregtare të nënshkruara nga administrata Trump mbeten në fuqi”. Përfaqësuesi amerikan i tregtisë, i cili ka negociuar tarifat, ka shtuar në intervista për mediat amerikane: “Dëshirojmë që të kuptojnë se këto janë marrëveshje të mira”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)