Irani ka kërcënuar sërish sot Bashkimin Europian për heshtjen që sipas tyre po mbajnë, teksa shohin Izraelin dhe SHBA-të duke sulmuar Republikën Islamike.
“Vendet e Bashkimit Evropian do ta paguajnë çmimin, herët apo vonë, nëse heshtin përballë sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit”, tha një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit për transmetuesin spanjoll TVE.
Esmail Baghai përsëriti gjithashtu mohimin e Teheranit se raketa e kapur në hapësirën ajrore turke nga mbrojtja ajrore e NATO-s ditën e djeshmë është lëshuar nga Irani.
Kujtojmë se të martën, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dërgoi mesazhin e BE-së mbi luftën në Lindjen e Mesme, duke thënë se blloku do të bëj gjithçka që është e mundur për të ulur tensionet dhe për të ndaluar përhapjen e konfliktit.
“Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme. Por tre gjëra janë të qarta: Së pari, ka shpresë të ripërtërirë për popullin e Iranit që ka vuajtur shumë. Ne e mbështesim fuqimisht të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Irani duhet të ndalojë sulmet e tij të pamatura dhe pa dallim ndaj fqinjëve dhe vendeve sovrane. Së treti, stabiliteti rajonal është me rëndësi të madhe. E vetmja zgjidhje e qëndrueshme është diplomatike. Kjo do të thotë një tranzicion i besueshëm për Iranin, i cili përfshin ndalimin e programeve të tij bërthamore dhe balistike, si dhe ndërprerjen e veprimeve të tij destabilizuese në rajon. Nga energjia te energjia bërthamore, nga migrimi te siguria, Evropa duhet të jetë e përgatitur për pasojat e ngjarjeve të fundit”, tha shefja e BE-së.
Përshkallëzimi i toneve të Teheranit përkundrejt BE-së vjen në një ditë kur IDF ka goditur selinë e forcave speciale iraniane dhe bazat Basij në Teheran me 200 bomba.
Sipas IDF-së, rreth 90 avionë luftarakë të Forcave Ajrore Izraelite morën pjesë në sulme, duke goditur rreth 40 objektiva. IDF tha se "selia e forcave speciale të regjimit terrorist iranian" në provincën Alborz, pak në perëndim të kryeqytetit iranian, "komandon të gjitha forcat speciale të regjimit në provincë dhe shërben për të drejtuar forcat e armatosura të regjimit".
Diku tjetër në Teheran, sipas IDF-së, u goditën objektiva të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, bazave Basij, një selie e forcave të sigurisë së brendshme dhe dhjetëra qendra të tjera komanduese dhe depo armësh.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)