Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul deklaroi se NATO nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk mban përgjegjësi për situatën e krijuar në Ngushticën e Hormuzit. Duke folur gjatë mbërritjes në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ai theksoi se zyrtarisht nuk është diskutuar roli i Aleancës në këtë çështje.
“Nuk më duket se NATO ka marrë një vendim apo mund të marrë përgjegjësi për Ngushticën e Hormuzit. Nëse do të ishte kështu, organet e NATO-s do të merreshin me këtë çështje”, u shpreh Wadephul, duke iu përgjigjur pyetjeve për mundësinë e përfshirjes së Aleancës pas deklaratave të dhëna nga presidenti amerikan Donald Trump.
Ministri gjerman foli gjithashtu për situatën në Lindjen e Mesme dhe për mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit. Sipas tij, Berlini po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe ndikimin e tyre, si në tregjet europiane ashtu dhe në ato ndërkombëtare.
“Po punojmë për një zgjidhje që mund të sjellë një situatë të qëndrueshme në rajon dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes negociatave që përfshijnë vendet fqinje dhe Iranin. Do të arrijmë në këtë fazë kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të deklarojnë se kanë arritur objektivat e tyre ushtarake”, tha Wadephul.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)