Një ortek i fuqishëm ka përfshirë 25 persona në zonën malore të Val Ridanna, në Alto Adige të Italisë, duke shkaktuar dy viktima dhe pesë të plagosur. Ngjarja ndodhi në lartësinë rreth 2,445 metra mbi nivelin e detit, ndërsa një grup skiatorësh alpinë ndodheshin në shpatin e malit.
Sipas autoriteteve të emergjencës në Bolzano, tre nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta. Fatmirësisht, pjesa më e madhe e grupit është prekur vetëm pjesërisht nga masa e dëborës dhe ka arritur të shpëtojë pa pasoja të rënda.
Operacioni i shpëtimit ishte i gjerë dhe kompleks, me pjesëmarrjen e rreth 80 efektivëve dhe gjashtë helikopterëve, duke përfshirë ekipet e shpëtimit nga Italia dhe Austria. Të gjithë skiatorët kishin pajisje sinjalizuese për lokalizim nën dëborë, çka ndihmoi në gjetjen e të mbuluarve nga orteku.
Në ndihmë të operacionit u përfshi edhe qendra operative e Innsbruck-ut, ndërsa spitalet në Merano-s, Bolzano-s dhe Bressanone-s u vunë në gatishmëri për të pritur të plagosurit. Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas përkujtimit të 10-vjetorit të një tjetër tragjedie në këtë rajon, ortekut në Monte Nevoso, ku humbën jetën gjashtë persona, duke shënuar një nga aksidentet më të rënda malore të dekadave të fundit në Alto Adige.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)