Senatorja për kulturën në Berlin, Sarah Wedl-Wilson dha dorëheqjen nga detyra pas zbulimit të një skandali financiar lidhur me shpërndarjen e fondeve publike.
Sipas hetimit të kryer nga Auditi, Wedl-Wilson ka ndarë në mënyrë të paligjshme rreth 2.6 milionë euro për 13 projekte që synonin luftën kundër antisemitizmit. Raporti i publikuar e cilëson procesin e financimit si “qartësisht të paligjshëm” dhe “arbitrar”, duke theksuar se projektet nuk ishin përzgjedhur siç duhet dhe disa prej tyre nuk plotësonin kriteret për përfitim fondesh.
Një analizë e mëhershme zbuloi se senatorja nuk kishte ndërmend të respektonte rregullat buxhetore shtetërore, madje në një bisedë private kishte shkruar: “mund ta shpërfillim”.
Pak ditë para dorëheqjes, Wedl-Wilson shkarkoi sekretarin e saj të shtetit, Oliver Friederici, i cili ishte përgjegjës për shpërndarjen e fondeve për projektet kundër antisemitizmit. Sipas raportimeve, Friederici kishte paralajmëruar për shkeljet dhe kishte përmendur zyrtarë më të lartë si përgjegjës, para se të largohej nga detyra.
Në deklaratën pas dorëheqjes, Wedl-Wilson tha se vendimi i saj synon “të shmangë dëmtimin e luftës kundër antisemitizmit”, duke theksuar se promovimi i kulturës hebraike është një detyrim politik dhe një mision personal për të.
Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e pranoi dorëheqjen, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë përpjekjet kundër antisemitizmit.
Skandali pritet të ketë ndikim në popullaritetin e CDU-së përpara zgjedhjeve lokale të planifikuara për në shtator.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)