“Ëndrra amerikane”, që për dekada është konsideruar si simboli i mundësive dhe emigrimit global, po përballet me një ndryshim të dukshëm në perceptim për një pjesë të qytetarëve të SHBA-së. Sipas të dhënave të vitit 2025, kërkesat e amerikanëve për pasaportë irlandeze janë rritur me 63%, një rekord i ri që tregon një tendencë në rritje të kërkimit të një jete të re në Europë, veçanërisht në Irlandë.
Për shumë qytetarë amerikanë, marrja e pasaportës irlandeze shihet si mundësi për të pasur lëvizje të lirë në Bashkimin Europian dhe për të siguruar një stabilitet më të madh ekonomik dhe social. Sipas raportimeve, ky fenomen lidhet si me klimën politike në SHBA, e cila nga disa perceptohet si e polarizuar dhe e pasigurt, ashtu edhe me faktin se mbi 55 milionë amerikanë kanë origjinë irlandeze, trashëgimi e emigrimeve të mëdha të shekullit XIX.
Kjo ka bërë që shumë persona të rikthehen te dokumentimi i prejardhjes së tyre dhe të përdorin këtë lidhje për të përfituar shtetësi europiane. Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Irlandë. Po rriten edhe kërkesat për shtetësi britanike, ndërsa gjithnjë e më shumë amerikanë po zhvendosen në Dublin dhe qytete të tjera europiane. Sipas të dhënave, rreth 10 mijë amerikanë janë shpërngulur në Irlandë gjatë vitit 2025, duke dyfishuar shifrat e mëparshme.
Madje, një numër i vogël, por simbolik, qytetarësh amerikanë kanë kërkuar edhe azil politik në vendet europiane. Analistët e shohin këtë si një ndryshim të rëndësishëm të trendit historik: në vend që Europa të jetë vetëm burim emigracioni drejt SHBA-së, ajo po kthehet gjithnjë e më shumë edhe në destinacion. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për braktisje të “shtetit amerikan”, por për një kërkim të sigurisë, stabilitetit dhe një jete më të qetë në Europë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)