Bisedimet me Iranin, Trump dërgon Witkoff dhe Kushner në Pakistan

Araghchi pritet të udhëtojë më pas drejt Muskatit në Oman dhe më vonë në Moskë, ndaj mbetet e paqartë se kur do të realizohet takimi me të dërguarit amerikanë.

25.04.2026. 08:52

Bisedimet me Iranin, Trump dërgon Witkoff dhe Kushner në Pakistan

Presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Pakistan. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar udhëtimin e tyre në Islamabad, për të zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Zëdhënësja Karoline Leavitt deklaroi për “Fox News” se dy të dërguarit do të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta me delegacionin iranian, të ndërmjetësuara nga pala pakistaneze.

“Ata do të nisen për të pasur bisedime direkte me delegacionin iranian, të ndërmjetësuara nga pakistanezët, të cilët kanë qenë miq të jashtëzakonshëm në këtë proces. Iranianët na kontaktuan duke iu përgjigjur thirrjes së Trump dhe kërkuan këtë takim ballë për ballë. Shpresojmë të jetë një bisedë produktive që na afron drejt një marrëveshjeje”, u shpreh Leavitt.

Sipas një zyrtari pakistanez të cituar nga “Axios”, vizita e Araghchi në Pakistan pritet të fokusohet në ringjalljen e negociatave me administratën Trump. Zyrtari shtoi se mundësia e një takimi trepalësh me Shtetet e Bashkuara do të shqyrtohet pas takimit fillestar.

Araghchi pritet të udhëtojë më pas drejt Muskatit në Oman dhe më vonë në Moskë, ndaj mbetet e paqartë se kur do të realizohet takimi me të dërguarit amerikanë. Megjithatë, dy burime kanë bërë të ditur se një takim mes delegacionit amerikan dhe ministrit iranian mund të zhvillohet të hënën, pasi Kushner dhe Witkoff të zhvillojnë fillimisht bisedime të ndara me ndërmjetësuesit pakistanezë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)