Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar për uzurpim të PD-së dhe frikë nga gara brenda partisë. Në një deklaratë publike, Salianji e cilëson Berishën si “Sali kolltuku”, ndërsa shprehet se pas dekadash në pushtet ai ka krijuar një mendësi sipas së cilës kushdo duhet t’i bindet pa kushte.
“36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij”, shkruante Salianji. Ai thekson se në politikë nuk ka gjë më të zakonshme sesa kur një lider që ka humbur lidhjen me realitetin shpik armiq për të fshehur frikën nga konkurrenca.
“Problemi nuk janë demokratët, por lidershipi që ka humbur besimin”, tha Salianji. Në qëndrimin në rrjetet sociale, shtoi gjithashtu se sulmet ndaj tij janë përpjekje për të shmangur problemin kryesor në PD, që sipas tij është mungesa e besimit ndaj lidershipit aktual.
“Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe”, thekson ai. Ai mohon se është rreshtuar “në krahët” e dikujt dhe deklaron se ka qenë gjithmonë i lirë dhe kundër pazareve politike.
“Unë nuk kam përfunduar në ‘krahët’ e askujt. Isha dhe jam i lirë… Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri”, thekson ai.
Gjithashtu, ai përmendte edhe çështjen e dënimit të tij, duke lënë të kuptohet se ka pasur ndikim politik. “Pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë… Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak”, deklaroi Salianji.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)