Skemë mashtrimi online me faqe të rreme për gjoba, paralajmërimi i policisë

Qytetarët njoftohen se qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave financiare dhe përvetësimi i fondeve nga llogaritë bankare të qytetarëve.

25.04.2026. 12:50

Skemë mashtrimi online me faqe të rreme për gjoba, paralajmërimi i policisë

Policia e Shtetit ka njoftuar qytetarët për një skemë të re mashtrimi online, ku persona të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar. Sipas njoftimit, këto faqe dhe mesazhe shpërndahen përmes SMS-ve dhe email të maskuara, duke u paraqitur si njoftime zyrtare për pagesën e gjobave të qarkullimit rrugor, kryesisht për shkelje si tejkalimi i shpejtësisë.

Policia thekson se këto mesazhe nuk janë të dërguara nga institucionet shtetërore, por janë pjesë e një skeme mashtruese, ku qytetarët drejtohen në faqe të rreme dhe u kërkohet të vendosin të dhëna bankare. Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave financiare dhe përvetësimi i fondeve nga llogaritë bankare të qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Link të dyshimta, të ardhura me SMS apo mesazhe të tjera nuk duhen klikuar. Qytetarët paralajmërohen gjithashtu të mos vendosin të dhëna bankare në faqe të pa verifikuara, si edhe të verifikojnë çdo gjobë vetëm përmes kanaleve zyrtare.

Në rast se dikush ka vendosur të dhëna bankare në faqe të dyshimta, Policia këshillon që menjëherë të kontaktohet banka për bllokimin e kartës ose llogarisë dhe të bëhet denoncim pranë autoriteteve. Strukturat ligjzbatuese po vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të kësaj skeme mashtruese.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)