Rrëzohet droni Iranian, iu afrua një aeroplanmbajtëseje amerikane

Incidenti ndodhi ndërsa aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln po lundronte në Detin Arabik, rreth 800 kilometër larg bregut jugor të Iranit.

03.02.2026. 20:36

Rrëzohet droni Iranian, iu afrua një aeroplanmbajtëseje amerikane

Një avion luftarak amerikan ka rrëzuar një dron iranian në Detin Arabik në orët e para të mëngjesit të të martës. Ngjarja ndodhi pasi droni i ishte afruar në mënyrë “agresive” një aeroplanmbajtëseje të Marinës amerikane. Lajmi është bërë i ditur nga ushtria e Shteteve të Bashkuara.

Sipas njoftimit zyrtar, incidenti ndodhi ndërsa aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln po lundronte në Detin Arabik, rreth 800 kilometër larg bregut jugor të Iranit. “USS Abraham Lincoln ndodhej në Detin Arabik, rreth 800 kilometra nga bregu jugor i Iranit, kur një dron iranian Shahed-139 manovroi në mënyrë të panevojshme drejt anijes”, deklaroi zëdhënësi i Komandës Qendrore të SHBA-së, kapiteni Tim Hawkins.

Sipas tij, droni iranian vazhdoi fluturimin drejt aeroplanmbajtëses pavarësisht masave për de-përshkallëzim të ndërmarra nga forcat amerikane, që operojnë në ujëra ndërkombëtare. Për këtë arsye, një avion luftarak F-35C e rrëzoi dronin në vetëmbrojtje, për të mbrojtur anijen dhe ekuipazhin e saj.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se nuk ka të lënduar dhe asnjë pajisje nuk është dëmtuar gjatë incidentit. Kapiteni Hawkins theksoi se forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së veprojnë me nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe garantojnë sigurinë e personelit, anijeve dhe avionëve amerikanë në Lindjen e Mesme.

“Ngacmimet dhe kërcënimet e vazhdueshme iraniane në ujërat ndërkombëtare dhe në hapësirën ajrore nuk do të tolerohen. Agresioni i panevojshëm i Iranit pranë forcave amerikane, partnerëve rajonalë dhe anijeve tregtare rrit rrezikun e përplasjeve, gabimeve të llogaritjes dhe destabilizimit rajonal”, deklaroi Hawkins.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)