Të pasurit e Lindjes së Mesme po paguajnë deri në 260 mijë paund për t’u larguar me avionë privatë, ndërsa tensionet në rajon janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmeve me raketa dhe dronë iranianë mbi Abu Dhabi, Dubai, Katar dhe Bahrein fundjavën e kaluar.
Sipas raportimeve të Semafor, drejtues të lartë të kompanive financiare globale dhe individë me pasuri të mëdha, që ndodheshin në rajon për pushime apo udhëtime biznesi, po evakuohen me urgjencë. Arabia Saudite është kthyer në një nga rrugët kryesore të daljes, pasi aeroporti i Riadit mbetet ndër të paktët funksionalë në zonë.
Udhëtimi drejt sigurisë është i kushtueshëm. Kompanitë private të sigurisë po rezervojnë flotë SUV-sh për të përshkuar rrugën 10-orëshe nga Dubai drejt Riadit dhe më pas po operojnë avionë privatë drejt Europës, me çmime që arrijnë deri në 350 mijë dollarë.
King Khalid International Airport, rreth 35 kilometra nga qendra e qytetit, po shërben si nyja kryesore e largimeve. Aeroporti ka pesë terminale dhe lidhje me Europën, Amerikën, Azinë dhe Afrikën. Ndërkohë, Arabia Saudite ka lehtësuar rregullat e vizave, duke lejuar shumë shtetas të marrin vizë në mbërritje.
Situata u tensionua më tej pasi rafineria më e madhe e naftës në botë në Ras Tanura u godit nga një dron iranian, duke detyruar mbylljen e saj. Ministria saudite e Mbrojtjes konfirmoi se dy dronë u interceptuan dhe u shkatërruan, pa specifikuar origjinën e tyre. Ekspertët paralajmërojnë se infrastruktura energjetike e Gjirit është tashmë drejtpërdrejt në shënjestër.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)