Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Studimeve për Sigurinë Kombëtare, në katër ditët e para të luftës Irani ka lëshuar drejt vendeve të Gjirit 2,5 herë më shumë raketa dhe 20 herë më shumë dronë sesa kundër Izraelit. Raporti thekson se drejt Izraelit janë lëshuar rreth 200 raketa dhe 100 dronë, në 123 valë sulmesh. Ndërsa kundër vendeve të Gjirit janë përdorur rreth 500 raketa dhe afro 2,000 mjete ajrore pa pilot.
Për krahasim, zëdhënësi i Forcave Izraelite të Mbrojtjes bëri të ditur se forcat ajrore izraelite kanë goditur Iranin me mbi 5,000 municione që nga fillimi i operacionit “Ulërima e Luanit”. Sipas analizës, megjithëse Izraeli konsiderohet armiku kryesor, Teherani po përqendron pjesën më të madhe të fuqisë së zjarrit ndaj fqinjëve të tij të afërt, duke përfshirë edhe vende si Katari, me të cilat zakonisht mban marrëdhënie të mira.
Studiuesit japin disa arsye kryesore, ku së pari kjo shihet si një mënyrë presioni strategjik ndaj SHBA-ve. Irani synon të detyrojë shtetet e Gjirit të ushtrojnë presion mbi Uashingtonin për t’i dhënë fund luftës ose për ta shkurtuar atë. Kjo konsiderohet leva më efektive e presionit që Teherani ka në dispozicion.
Së dyti, iranianët kanë avantazh ushtarak në distanca të shkurtra. Teherani zotëron mijëra raketa me rreze 300-600 km, të afta të godasin objektiva në vendet e Gjirit dhe impiantet përgjatë vijës bregdetare. Ai disponon gjithashtu mijëra dronë sulmues dhe vetëvrasës, më të saktë dhe më të vështirë për t’u interceptuar nga sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore.
Së treti, vendet e Gjirit Persik janë objektiva të lehta dhe të prekshme. Industria e naftës dhe e ndërtimit në rajon përbën objektiva të lehtë për dronë si modeli Shahed 136, të pajisur me disa dhjetëra kilogramë eksploziv. Për goditjen e rafinerive dhe impianteve energjetike, Irani nuk ka nevojë për raketa balistike të rënda dhe të kushtueshme. Në shumë raste përdor raketa tokë-det ose mjete të shpejta sulmuese nga ujërat e Gjirit.
Një tjetër arsye lidhet me logjikën e frikësimit. Sulmet ndaj vendeve të Gjirit synojnë t’i paralajmërojnë ato që të mos lejojnë SHBA-në të operojë nga territori i tyre, qoftë në mënyrë mbrojtëse apo sulmuese. Teherani kërkon të pengojë ngritjen e avionëve luftarakë nga Arabia Saudite, Katari, Kuvajti dhe shtete të tjera.
Sipas të dhënave të raportuara deri tani, bilanci i viktimave në rajon është: në Irak 11 të vdekur dhe 5 të plagosur; në Kuvajt 4 të vdekur dhe 35 të plagosur; në Emiratet e Bashkuara Arabe 3 të vdekur dhe 68 të plagosur; në Oman 3 të vdekur dhe 4 të plagosur; në Katar 16 të plagosur; në Bahrein 1 i vdekur dhe 4 të plagosur; në Jordani 5 të plagosur.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)