Nuk hapen rezervat e naftës, mbledhja e G7 mbyllet pa vendim, rritet më tej çmimi

Mbyllet pa një vendim mbledhja e vendeve të G7 ku u diskutua mundësia e hedhjes në treg të një pjese të rezervave strategjike të naftës për të frenuar rritjen e çmimit.

Burimi: BBC

09.03.2026. 20:35

Nuk hapen rezervat e naftës, mbledhja e G7 mbyllet pa vendim, rritet më tej çmimi

Është mbyllur pa një vendim mbledhja urgjente e G7 që u zhvillua këtë të hënë për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në tregje me rritjen e çmimit të naftës për shkak të luftës që po zhvillohet prej 10 ditësh në Lindjen e Mesme.

Pavarësisht spekulimeve në mediat ndërkombëtare për një mundësi lirimi të rezervave strategjike të naftës, grupi nuk mori asnjë masë konkrete.

Ministrat e Energjitikës së vendeve anëtare të G7 pritet të zhvillojnë një tjetër takim këtë të martë për të shqyrtuar sërish situatën.

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka rritur çmimet e naftës në nivele rekord, duke kaluar 100 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në katër vitet e fundit. Çmimi i naftës kishte kaluar për herë të parë këtë shifër gjatë pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Presidenti Amerikan, Donald Trump, reagoi menjëherë pas rritjes së çmimit të naftës duke shkruar në platformën Truth Social se rritja e “çmimeve afatshkurtra të naftës” ishte një “çmim shumë i vogël për t’u paguar” për të adresuar kërcënimin bërthamor të Iranit.

Ndërkohë që situata është përkeqësuar edhe për shkak të bllokimit të ngushticës së Hormuzit nga ushtria iraniane e cila kërcënon se nuk do të lejojë asnjë cisternë që të kalojë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)