Një përplasje frontale mes dy trenave turistikë që udhëtonin drejt Machu Picchu ka shkaktuar një viktimë dhe plagosjen e të paktën 40 personave në jug të Perusë. Ngjarja ndodhi në zonën Pampacachua, rreth dy orë larg qytetit të Cuzcos, përgjatë një prej linjave hekurudhore më të frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Lajmi u raportua nga mediat kryesore lokale, të cilat bënë të ditur se trenat e përfshirë në aksident i përkisnin kompanive PeruRail dhe Inca Rail. Viktima është identifikuar si Roberto Cardenas Loayza, 61 vjeç, makinist i njërit prej trenave.
Të plagosurit janë transportuar në spitale dhe klinika të ndryshme në kryeqendrën rajonale, Cuzco. Sipas policisë, në bord të trenave ndodheshin dhjetëra pasagjerë, mes tyre shumë turistë, por autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura kombësitë e personave të përfshirë.
Në vendngjarje ndërhynë disa autoambulanca dhe ekipe shpëtimi, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të përcaktuar shkaqet e përplasjes. Autoritetet kanë aktivizuar protokollet e emergjencës dhe kanë nisur kontaktet me ambasadat e vendeve përkatëse. Enti për mbrojtjen e konsumatorëve ka njoftuar hapjen e një hetimi zyrtar për incidentin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)