Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka ndërmarrë një tjetër hap drejt përgatitjes së vendit të tij për një konflikt bërthamor, duke testuar raketa balistike “të teknologjisë së avancuar”, vetëm pak ditë pas operacionit amerikan që çoi në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Media shtetërore koreano-veriore raportuan se Kim u shfaq duke ndjekur testimin në orët e para të mëngjesit pranë Penianit, në shoqërinë e zyrtarëve të lartë ushtarakë, ndërsa raketat u lëshuan drejt qiellit. Autoritetet e Koresë së Jugut dhe Japonisë konfirmuan se kishin zbuluar lëshimin e dy raketave hipersonike, duke shënuar testin e parë balistik të Koresë së Veriut për këtë vit.
Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve, Kim deklaroi se prova tregoi “gatishmërinë e forcave bërthamore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë”. Ai shtoi se janë arritur “suksese të rëndësishme” në vendosjen praktike të kapaciteteve bërthamore dhe në përgatitjen e tyre për një luftë reale, duke e cilësuar programin si një mjet për forcimin gradual të parandalimit bërthamor.
Testimi u zhvillua disa orë përpara se presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, të nisej drejt Pekinit për një samit, ku shpreson të përdorë ndikimin e Kinës për të përmirësuar marrëdhëniet me Penianin. Kim e justifikoi lëshimin e raketave duke iu referuar zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë operacionin amerikan në Venezuelë, të cilin Koreja e Veriut e dënoi ashpër si “shkelje të rëndë të sovranitetit”.
Analistët vlerësojnë se testimi përbën një mesazh të drejtpërdrejtë se Peniani synon të demonstrojë aftësi parandaluese dhe goditëse, ndryshe nga shtete që, sipas tij, nuk kanë kapacitete të tilla. Raketat hipersonike, të cilat udhëtojnë mbi pesë herë shpejtësinë e zërit dhe manovrojnë gjatë fluturimit, janë shumë të vështira për t’u interceptuar dhe përbëjnë një sfidë serioze për sigurinë rajonale dhe globale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)