Kompania amerikane me kosto të ulët “Spirit Airlines” ka njoftuar ndërprerjen e të gjitha fluturimeve dhe nisjen e një “mbylljeje graduale dhe të rregullt të operacioneve”, pas dështimit të negociatave për shpëtimin financiar të saj. “Spirit Aviation Holdings, Inc.”, kompania mëmë e “Spirit Airlines”, ka njoftuar me keqardhje nisjen e një mbylljeje graduale dhe të organizuar të operacioneve, me efekt të menjëhershëm.
Të gjitha fluturimet e Spirit janë anuluar dhe pasagjerët nuk duhet të shkojnë në aeroport”, thuhej në deklaratën zyrtare të kompanisë. Vendimi vjen në një moment kur rritja e fortë e çmimit të karburantit të avionëve ka përkeqësuar gjendjen financiare të kompanisë dhe ka bërë të pamundur daljen nga procedurat e falimentimit. “Spirit Airlines” bëhet kështu kompania e parë e madhe ajrore në SHBA që ndërpret aktivitetin në rreth 25 vitet e fundit.
Përpjekjet për një marrëveshje shpëtimi, përfshirë edhe bisedimet me administratën amerikane dhe kreditorët kryesorë, kanë dështuar në minutat e fundit. Sipas burimeve të industrisë, kompania kishte rreth 9 mijë fluturime të planifikuara vetëm për muajin maj, që përfaqësojnë rreth 1,8 milionë vende. Kjo do të thotë se rreth 300 fluturime në ditë dhe dhjetëra mijëra pasagjerë do të preken nga anulimet.
Mbyllja pritet të ndikojë edhe në tregun ajror amerikan, duke rritur çmimet e biletave për kompanitë e tjera. “Spirit Airlines”, e themeluar në vitin 1992 dhe e njohur për avionët e saj me ngjyrë të verdhë, ka transportuar rreth 28 milionë pasagjerë vetëm gjatë periudhës shkurt 2025 - janar 2026 dhe ka pasur mbi 11 mijë punonjës në vitin 2024. Mbyllja e saj shënon një nga goditjet më të mëdha në industrinë ajrore amerikane që nga viti 2001.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)