Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka rikthyer akuzat ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar çështjen e anijeve lundruese të prodhimit të energjisë në Vlorë si një nga “aferat më të mëdha korruptive”. Ai tha se më tepër se një vit më parë ka dorëzuar në SPAK dokumentacion, që implikon drejtpërdrejt Ballukun në këtë çështje.
“Në dosjen e dërguar në SPAK kam argumentuar me prova se vendi nuk ishte në kushtet e emergjencës, se tenderi ishte i paracaktuar dhe gara fiktive, edhe se kompania nuk i zotëronte anijet as në momentin e shpalljes së fituesit”, shkruante Bardhi në reagimin e tij.
Deputeti demokrat shtonte se kostot e projektit janë jashtë çdo standardi dhe se fondet publike janë përdorur në mënyrë të dyshimtë. “80 milionë euro për dy anijet nuk dihet ku shkojnë, pasi kompania është e regjistruar në një parajsë fiskale, ndërsa energjia që prodhohet është shumë e shtrenjtë”, u shpreh ai, duke shtuar se ka pasur njoftime për fitimin e tenderit edhe përpara shpalljes zyrtare.
Duke iu referuar një investigimi mediatik, Bardhi thekson se diferenca e çmimit të energjisë është drastike dhe tregon abuzim me fondet publike. “Të dhënat tregojnë se energjia e prodhuar nga anijet lundruese ka një kosto prej 675 €/MWh, ndërsa çmimi i tregut është vetëm 111 €/MWh. Prandaj thirrja ime për SPAK-un është vetëm një: Ndiq paranë”, përfundon ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)