Detajet e operacionit antidrogë në Elbasan: 26 të shoqëruar, sekuestrohen kokainë dhe kanabis

Gjatë hetimeve 8-mujore, është dokumentuar veprimtaria kriminale edhe me pamje filmike, i përfshirë në hetime edhe një i mitur.

02.05.2026. 13:23

Detajet e operacionit antidrogë në Elbasan: 26 të shoqëruar, sekuestrohen kokainë dhe kanabis

Operacioni i gjerë antidrogë, i nisur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Elbasan ka goditur një rrjet të dyshuar shpërndarjeje të lëndëve narkotike në disa zona të qarkut. Aksioni i përbashkët i policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me dy ekipe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u shtri paralelisht në Elbasan, Librazhd, Prrenjas dhe bashki të tjera, ku u ushtruan kontrolle të shumta në ambiente të dyshuara për aktivitet kriminal.

Gjatë operacionit janë shoqëruar 26 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithashtu 8 kilogramë kanabis dhe 100 gramë kokainë. Mësohet se ky operacion ishte rezultat i një hetimi të gjatë, të nisur prej shtatorit 2025, ku janë përdorur metoda proaktive, duke përfshirë edhe agjentë të infiltruar.

Gjatë hetimeve 8-mujore, është dokumentuar veprimtaria kriminale edhe me pamje filmike. Operacioni është zhvilluar në vijim të aksioneve të mëparshme antidrogë, të njohura si “Rrjeti” dhe “Tempulli”, dhe ka qenë i fokusuar kryesisht tek shpërndarësit e drogës në qytetin e Elbasanit. Sipas burimeve, 7 persona rezultojnë ende në kërkim, ndërsa një i mitur i përfshirë në hetime, pritet të procedohet në gjendje të lirë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)