Aksion antidrogë në qarkun e Elbasanit, 20 urdhërkontrolle dhe disa të ndaluar

Uniformat blu, të mbështetur nga FNSH kanë kryer kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente të dyshuara për aktivitet kriminal.

02.05.2026. 10:08

Aksion antidrogë në qarkun e Elbasanit, 20 urdhërkontrolle dhe disa të ndaluar

Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 2 maj, një operacion të gjerë kundër narkotikëve. Burime policore bëjnë me dije se aksioni është shtrirë në disa pika të qarkut, duke përfshirë Elbasanin, Librazhdin dhe Prrenjasin, si edhe në zona të tjera përreth.

Uniformat blu, të mbështetur nga FNSH kanë kryer kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente të dyshuara për aktivitet kriminal. Operacioni është zhvilluar mbi bazën e një vendimi gjykate, që ka miratuar rreth 20 urdhërkontrolle.

Ndërkohë, paralelisht janë zbatuar edhe disa masa ndalimi për persona të dyshuar si të përfshirë në shpërndarje apo trafikim të lëndëve narkotike. Aksioni vijon dhe pritet që autoritetet të japin njoftim zyrtar në vijim, ku do të saktësohen rezultatet dhe numri i personave të ndaluar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)