Tarifat 25% për makinat, Europarlamenti kundër Trump: Partner i pabesë

Tarifa doganore për automjetet e BE, presidenti i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlamentin Europian, Bernd Lange deklaroi se një masë e tillë nuk mund të pranohet.

02.05.2026. 09:56

Tarifat 25% për makinat, Europarlamenti kundër Trump: Partner i pabesë

Europarlamenti ka reaguar ashpër ndaj planit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa doganore prej 25% për automjetet e Bashkimit Europian. Ky veprim është cilësuar i papranueshëm dhe një tregues të qartë se SHBA po shfaqet si një partner i pabesë. Presidenti i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlamentin Europian, Bernd Lange deklaroi hapur se një masë e tillë nuk mund të pranohet nga BE.

“Plani i Trump për të imponuar tarifa prej 25% për makinat e BE-së është i papranueshëm dhe tregon se Shtetet e Bashkuara janë një partner i pabesë”, u shpreh Lange. Ai theksoi se BE po respekton marrëveshjen e arritur në Skoci dhe po vijon punën për përmbylljen e legjislacionit, ndërsa pala amerikane nuk po vepron në të njëjtën mënyrë.

“Parlamenti Europian vazhdon të respektojë marrëveshjen e nënshkruar në Skoci, duke punuar për të finalizuar legjislacionin. Ndërsa BE mban angazhimet, pala amerikane vazhdon të mos i respektojë ato”, shkruante ai në një postim në rrjetin social “X”. Në të njëjtën deklaratë, Lange kërkoi që BE të ruajë një qëndrim të fortë ndaj Uashingtonit.

Lange theksoi gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që SHBA ndërmerr veprime të tilla, duke përmendur rastet e mëparshme me çelikun dhe aluminin. “Nga tarifat mbi më shumë se 400 produkte çeliku dhe alumini deri te goditja aktuale ndaj makinave, kjo tregon një pabesi të qartë”, theksoi Lange, duke kujtuar se “edhe më parë janë parë lëvizje arbitrare të këtij lloji, edhe ndaj partnerëve”.

Nga ana tjetër, Komisioni Europian deklaroi se BE-ja po zbaton angazhimet e marra në deklaratën e përbashkët dhe se administrata amerikane është mbajtur vazhdimisht e informuar. Një zëdhënës i Komisionit të BE-së u shpreh: “Ne mbetemi plotësisht të angazhuar për marrëdhënie transatlantike të parashikueshme dhe reciprokisht të dobishme”. Në fund, Komisioni paralajmëroi se nëse SHBA ndërmerr masa që bien ndesh me marrëveshjen, BE do të reagojë për të mbrojtur interesat e saj.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)