“Kemi bombarduar avionët më të avancuar të Putinit”, Ukraina pretendon se sulmoi mbi 1600 kilometra brenda Rusisë

Forcat e armatosura të Ukrainës pretendojnë se kanë goditur disa nga avionët më të avancuar luftarakë të Rusisë, në një sulm me dronë që thuhet se ka depërtuar mbi 1600 kilometra brenda territorit rus, duke shënuar një nga operacionet më të thella të luftës.

Burimi: Daily Mail

01.05.2026. 22:18

Sipas burimeve ushtarake në Kiev, sulmi ka ndodhur më 25 prill dhe ka pasur në shënjestër bazën ajrore Shagol, në rajonin e Çeljabinskut. Në këtë bazë, sipas të njëjtave burime, janë goditur avionë të tipit Su-57 dhe bombardues Su-34, të cilët konsiderohen ndër më modernët në arsenalin rus.

Çdo avion Su-57 vlerësohet rreth 30 milionë paund, ndërsa Su-34 rreth 27 milionë paund. Nëse konfirmohet, kjo do të ishte hera e parë që Ukraina arrin të godasë objektiva kaq të avancuara kaq thellë në territorin rus, përtej maleve të Uralit.

Nga ana tjetër, autoritetet ruse nuk kanë konfirmuar humbje të tilla. Guvernatori rajonal, Alexey Teksler, e përshkroi ngjarjen si një “tentativë sulmi me dronë që u zmbraps”, duke shtuar se nuk ka pasur viktima apo dëme.

Megjithatë, raportime në rrjetet sociale lokale flasin për dronë që fluturonin mbi zona të banuara dhe shpërthime pranë një shkolle ushtarake aviacioni, ndërsa banorët kanë raportuar dridhje të dritareve, aktivizim alarmesh makinash dhe tym pranë aeroportit.

Ky zhvillim vjen pas një tjetër operacioni të Ukrainës në janar, ku sipas shërbimit sekret ukrainas SBU, u shkatërruan 15 avionë ushtarakë rusë në disa baza ajrore. Në atë operacion thuhet se u goditën avionë Sukhoi dhe MiG, helikopterë dhe një avion transporti, me një vlerë totale mbi 1 miliard dollarë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)