Trump rrit tarifat ndaj automjeteve nga BE në 25%, “shpëtojnë” gjermanët

Donald Trump ka njoftuar rritjen e tarifave për automjetet dhe kamionët që importohen nga Bashkimi Evropian, një vendim që pritet të ndikojë në marrëdhëniet tregtare mes dy blloqeve.

01.05.2026. 21:17

Trump rrit tarifat ndaj automjeteve nga BE në 25%, “shpëtojnë” gjermanët

Donald Trump ka njoftuar rritjen e tarifave për automjetet dhe kamionët që importohen nga Bashkimi Evropian, një vendim që pritet të ndikojë në marrëdhëniet tregtare mes dy blloqeve.

Në një reagim në platformën Truth Social, Trump dha njoftimin. “Jam i kënaqur të njoftoj se, duke qenë se Bashkimi Evropian nuk po respekton marrëveshjen tonë të plotë tregtare, javën e ardhshme do të rris tarifat për automjetet dhe kamionët që hyjnë në SHBA”, duke shtuar se norma e re do të jetë 25%.

Ai theksoi se masa nuk do të prekë automjetet e prodhuara në territorin amerikan. “Është e qartë se nëse prodhojnë makina dhe kamionë në fabrikat në SHBA, nuk do të ketë tarifa”, u shpreh presidenti.

Sipas Bloomberg, vendimi mund të godasë veçanërisht kompaninë Stellantis, e cila importon në SHBA modele të markave si Alfa Romeo, Fiat dhe Maserati. Pas njoftimit, aksionet e kompanisë pësuan rënie deri në 3.6%.

Ndërkohë, prodhues të mëdhenj evropianë si Volkswagen, Mercedes-Benz Group dhe BMW kanë fabrika në SHBA, çka mund t’i ndihmojë të shmangin ndikimin e drejtpërdrejtë të tarifave.

Vendimi i Trump rikthen në qendër të vëmendjes përplasjet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, në një kohë kur ekonomia globale po përballet me sfida të tjera si tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të energjisë.

Marrëveshja e mëparshme tregtare mes palëve kishte parashikuar heqjen e tarifave për mallrat industriale amerikane, ndërsa për produktet evropiane ishte vendosur një kufi prej 15%. Megjithatë, zbatimi i saj ka hasur vështirësi, ndërsa mosmarrëveshjet për tarifat mbi metalet kanë shtuar tensionet dhe kanë vonuar ratifikimin nga ana e BE-së.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)