I shiti marokenit 10 kg kokainë dhe 17 kg heroinë, arrestohet në Milano shoferi shqiptar i kamionit

Në një zonë pushimi, 27-vjeçari maroken ka nxjerrë nga makina dy çanta me rreth 270 mijë euro cash, të cilat ia ka dorëzuar 50-vjeçarit shqiptar, i cili në këmbim i ka dhënë dy çanta me lëndë narkotike.

02.05.2026. 11:13

I shiti marokenit 10 kg kokainë dhe 17 kg heroinë, arrestohet në Milano shoferi shqiptar i kamionit

Policia italiane në Milano ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar mbi 32 kilogramë lëndë narkotike, mes tyre kokainë dhe heroinë, gjatë një operacioni të gjerë antidrogë të zhvilluar pas një hetimi disa ditor. Në pranga kanë përfunduar një 27-vjeçar me origjinë marokene dhe një 50-vjeçar me origjinë shqiptare, të kapur në flagrancë gjatë një shkëmbimi mes parave dhe drogës.

Sipas autoriteteve, hetimet u përqendruan fillimisht në një garazh në provincën e Milanos, i dyshuar si vend magazinimi i drogës nga 27-vjeçari, i cili lëvizte me një automjet tip SUV. Gjatë vëzhgimeve, policia ka ndjekur lëvizjet e tij deri në provincën e Bergamos, ku u regjistrua takimi vendimtar me një kamion me targa shqiptare.

Në një zonë pushimi, 27-vjeçari ka nxjerrë nga makina dy çanta me rreth 270 mijë euro cash, të cilat ia ka dorëzuar drejtuesit të kamionit, i cili në këmbim i ka dhënë dy çanta me 10 kg kokainë dhe 17 kg heroinë. Menjëherë pas shkëmbimit, të dy personat u ndaluan dhe u arrestuan nga policia.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në banesën e 27-vjeçarit në zonën e Lodit u gjet edhe një çantë shpine me 2.5 kg kokainë, ndërsa në garazh u zbuluan edhe 3 kg të tjera kokainë dhe rreth 30 mijë euro cash. Hetimet po vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të trafikut të drogës dhe bashkëpunëtorët e mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)