Humbi këmbët, por fitoi 4 medalje të arta paralimpike: Italia i jep lamtumirën legjendës Alex Zanardi

Kampioni që e ktheu dhimbjen në forcë, jeta e shënuar mes dy tragjedive të mëdha, por ku nuk hoqi dorë për asnjë moment nga pasioni për sportin.

02.05.2026. 10:52

Humbi këmbët, por fitoi 4 medalje të arta paralimpike: Italia i jep lamtumirën legjendës Alex Zanardi

Ka ndërruar jetë Alex Zanardi. Lajmi është bërë i ditur nga familja e tij. Ish-piloti i Formula 1 dhe një nga figurat më të njohura të sportit paralimpik në botë ishte 59 vjeç. I lindur në Bologna, ai do të festonte 60-vjetorin në muajin tetor.

Në njoftimin zyrtar, familja ka deklaruar: “Me dhimbje të thellë, familja njofton ndarjen nga jeta të Alessandro Zanardit, e ndodhur papritur në mbrëmjen e djeshme, më 1 maj. Alex u shua në paqe, i rrethuar nga dashuria e familjarëve. Familja falënderon të gjithë ata që po shprehin ngushëllime dhe kërkon respekt për dhimbjen dhe privatësinë në këtë moment zie”.

Jeta e Zanardit u shënua nga dy tragjedi të mëdha. Në vitin 2001, një aksident i rëndë automobilistik i shkaktoi amputimin e këmbëve. Pas këtij momenti, ai u rikthye si sportist në disiplinën e çiklizmit paralimpik, ku fitoi 4 medalje ari dhe 2 argjendi në Lojërat Paralimpike të Londrës 2012 dhe Rio 2016, si dhe tituj të shumtë botërorë.

Në vitin 2020, ai u përfshi në një tjetër aksident të rëndë gjatë një gare bamirësie me handbike në Itali. Përveç arritjeve sportive, Zanardi u konsiderua një figurë kyçe në zhvillimin e sportit paralimpik, duke e bërë atë më të njohur dhe më të respektuar në nivel ndërkombëtar.

I njohur për forcën e tij të jashtëzakonshme, optimizmin dhe humorin edhe në momentet më të vështira, ai la një gjurmë të thellë në sport dhe në shoqëri. Alex Zanardi u cilësua me të drejtë “kampioni që e ktheu dhimbjen në forcë”. Ai lë pas bashkëshorten Daniela dhe djalin Niccolò.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)