Përleshjet mes milicive në Libi i marrin jetën djalit të dytë të Muammar Gaddafit

Mediat vendase konfirmojnë se Saif al-Islam Gaddafi u vra në oborrin e tij, u cilësua një grackë e mirëorganizuar.

03.02.2026. 21:43

Përleshjet mes milicive në Libi i marrin jetën djalit të dytë të Muammar Gaddafit

Saif al-Islam Gaddafi, djali i dytë i ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi, ka ndërruar jetë. Lajmi u raportua nga mediat në Libi. Sipas “Al Arabiya”, ai u vra gjatë përleshjeve të armatosura në zonën e Zintanit, një rajon shkretëtire në jug-perëndim të vendit.

Sipas lajmeve që qarkullojnë, Gaddafi u sulmua nga katër burra të armatosur në oborrin e tij. Mediat e cilësuan vrasjen si rrjedhojë e një gracke të mirëorganizuar, ndërsa sulmuesit u larguan menjëherë pas ngjarjes.

Mohammed Abdulmuttalib al-Huni, ish-këshilltar i Saif Gaddafit, shkruajti në “facebook”: “Dora e tradhtisë ka goditur dhe ka vrarë një njeri që e donte Libinë dhe ëndërronte për prosperitetin dhe rilindjen e saj. Ishte Saif al-Islam Gaddafi”. Sipas burimeve të “Al Arabiya”, përleshjet mes milicive lokale dhe atyre besnike të ish-regjimit të Gaddafit vazhduan për disa orë në pasditen e së martës në zonën shkretëtire të al-Hamada.

I lindur në 1972, Saif al-Islam ishte djali i dytë i Muammar Gaddafit dhe njihej si një nga figurat me më tepër ndikim, kontraverse dhe polarizuese të Libisë pas vitit 2011. Para kryengritjes, që i kushtoi jetën babait të tij, Saif al-Islam konsiderohej si fytyra kryesore reformiste e regjimit Gaddafi. Ai kishte diplomë doktorature nga “London School of Economics” dhe promovonte një liberalizim gradual ekonomik dhe afrim me Perëndimin, duke ruajtur marrëdhënie me institucione politike dhe akademike ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)