Fundviti i kaluar solli një surprizë të hidhur për 70 punonjësit e kompanisë zvicerane teknologjike Oerlikon në Badia al Pino, provinca Arezzo, Itali. Në ditën e fundit të vitit, kompania, e cila kishte blerë fabrikën e aksesorëve dhe bizhuterive Amom në vitin 2021, njoftoi mbylljen e aktivitetit dhe pushimin nga puna të gjithë punonjësve.
Sipas mediave lokale, njoftimi u bë një për një përmes një videokonference, duke i lënë punonjësit pa punë menjëherë dhe pa paralajmërim. Megjithëse sindikatat kërkuan tërheqjen e vendimit ose gjetjen e një alternative që të mos i lërë punonjësit të pambrojtur, kërkesat e tyre u refuzuan.
Që nga ajo ditë, protesta dhe mbledhjet para kompanisë janë bërë të përditshme, ndërsa për 14 janar është planifikuar një takim për të diskutuar situatën. Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e politikës italiane.
Deputeti Emiliano Fossi nga Partia Demokratike reagoi ashpër, duke e quajtur veprimin “të papranueshëm dhe një shkelje të rëndë të marrëdhënieve të punës”. Ai thekson se “të pushosh nga puna 70 punonjës përmes një videokonference është një akt arrogance dhe mungese respekti ndaj njerëzve dhe marrëdhënieve të punës”.
Fossi kërkoi nga qeveria të verifikojë menjëherë ligjshmërinë e procedurave dhe të aktivizojë një tryezë kombëtare krize, duke nxjerrë në pah se situata është e papranueshme për një vend të BE-së.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)