Kompleksi i Shpellave të Gorhamit, i ndodhur në bregdetin e Gjibraltarit, vijon të tërheqë vëmendjen e studiuesve si një nga vendet më të rëndësishme për studimin e historisë së hershme të njerëzimit. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar artefakte që dëshmojnë një kulturë të pasur dhe mënyrën e jetesës së banorëve të lashtë, si dhe një sistem shpellash me një dhomë të fshehur që kishte mbetur e mbyllur për rreth 40 mijë vjet.
Edhe pse shpellat u zbuluan për herë të parë në vitin 1907, gërmimet sistematike nisën vetëm në vitet ’80, duke nxjerrë në pah vlera të jashtëzakonshme historike dhe shkencore. Deri më tani nuk janë gjetur mbetje kockore të neandertalëve apo të Homo sapiens, por provat e aktivitetit njerëzor datojnë deri në 100 mijë vjet më parë.
Gjetjet më domethënëse lidhen me organizmat detarë. Në brendësi të shpellave janë zbuluar sasi të mëdha guaskash midhjesh, fokash dhe delfinësh. Studiuesit theksojnë se është e pamundur që këto mbetje të kenë mbërritur aty natyrshëm nga dallgët, ndërsa shenjat e prerjes me mjete të mprehta tregojnë për përpunim nga dora e njeriut.
Po ashtu, dyshemetë e shpellës mbajnë gdhendje me forma gjeometrike, që sipas shumicës së ekspertëve i atribuohen neandertalëve. Studimet e fundit kanë identifikuar edhe një vatër zjarri rreth 60 mijë vjeçare, e përdorur për prodhimin e katranit të thuprës, material i nevojshëm për montimin e veglave.
Sipas vlerësimeve, disa nga neandertalët e fundit në botë mund të kenë jetuar pikërisht në Shpellën e Gorhamit, duke e kthyer atë në një pikë kyçe të prehistorisë evropiane.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)