E shkarkuan se hynte në internet nga kompjuteri i punës, punonjësi “dembel” merr 40.000 euro kompensim

Rasti i paprecedentë i ndodhur në Spanjë, ku punonjësi i një kompanie u shkarkua pasi përdorte internetin dhe kompjuterin e punës për të naviguar në rrjet, është cilësuar nga Gjykata Supreme si i padrejtë dhe një kompensim në shumën e 40.000 eurove do të duhet të paguhet nga punëdhënësi.

Burimi: El Pais

05.02.2026. 12:11

E shkarkuan se hynte në internet nga kompjuteri i punës, punonjësi “dembel” merr 40.000 euro kompensim

Historia e një punonjësi të një kompanie spanjolle që shfrytëzoi internetin dhe kompjuterin e punës për të naviguar në rrjet është kthyer në sensacion. Mediat spanjolle raportojnë se ai kaloi orë të tëra duke shfletuar internetin në kompjuterin e punës.

Kur kompania e zbuloi, kreu një audit të brendshëm dhe përfundimisht e pushoi nga puna, duke besuar se kishte shkelur rregullat dhe kishte dëmtuar biznesin.

Por çështja nuk mbaroi me kaq, pasi ajo arriti në gjykata dhe rezultati nuk ishte ai që priste punëdhënësi.

Gjykata Supreme në këtë rast vendosi që, ndërsa sjellja e punonjësit ishte e dënueshme, ajo nuk ishte mjaftueshëm serioze për të justifikuar shkarkimin. Kështu, gjykata vendosi që punonjësi ose duhet të rikthehet në punë ose të kompensohet me një shumë që i afrohet 40,000 eurove.

Çfarë bëri punonjësi dhe pse u pushua nga puna?

Shkarkimi nga puna ndodhi në shtator 2024, pasi një audit tregoi se punonjësi kishte bërë mbi 1,000 vizita në faqet e internetit që nuk kishin lidhje me punën e tij gjatë një periudhe dy mujore. Sipas të dhënave, koha totale e shfletimit arriti në 57 orë, të cilat kompania i konsideroi si kohë pune të humbur.

Faqet që ai vizitoi përfshinin materiale edukative, studime, shërbime të ruajtjes së të dhënave në cloud dhe faqe të tjera interneti që nuk kishin lidhje me punën e tij. Kompania tha se punonjësi ishte informuar për rregullat vetëm për përdorim profesional nëpërmjet një paralajmërimi në kompjuterin e tij.

Bazuar në këto, punëdhënësit konsideruan se kishte pasur shkelje të mirëbesimit dhe ulje të performancës dhe vendosën sanksionimin më të rëndë disiplinor.

Pse gjykata tha "jo"?

Megjithatë, gjykata ngriti një pikë thelbësore. Korniza aktuale kolektive për sektorin parashikon që shkelje të tilla klasifikohen si serioze, por jo si jashtëzakonisht serioze. Kjo do të thotë që mund të vendosen dënime, por jo që zgjidhja përfundimtare të jetë ajo e pushimit nga puna.

Gjyqtarët theksuan se, kur një kuadër rregullash përshkruan në mënyrë të qartë një sjellje dhe përcakton pasoja specifike, punëdhënësi nuk mund të vendosë një dënim më të rëndë duke u thirrur në dispozita më të përgjithshme.

Për më tepër, nuk u provua që sjellja e punonjësit shkaktoi dëm real. Nuk kishte prova për humbje klientësh, vonesa, humbje financiare ose performancë më të ulët krahasuar me kolegët e tij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)