Daniel Tom është një sipërmarrës 31-vjeçar në SHBA i cili drejton ‘Bay Area Sanitation’, kompania, e cila operon rreth 2,000 tualete portative, të vendosura në evente dhe kantiere ndërtimi në zonën e gjirit të San Fransiskos.
Kompania merr përsipër qiradhënien, mirëmbajtjen, pastrimin javor, rimbushjen e materialeve të konsumueshme dhe largimin e mbeturinave, një detyrë që e kryen me një flotë prej 12 kamionësh.
Tom pranon se biznesi i tij mund të shkaktojë neveri në fillim. Kur ai përmend se çfarë bën për të jetuar, shumë njerëz reagojnë me neveri, por ky perceptim ndryshon kur mësojnë rreth modelit të biznesit dhe të ardhurave që ai fiton. Kompania ‘Bay Area Sanitation’ filloi në vitin 2023 me një kamion të vetëm dhe 100 njësi dhe arriti të bëhej fitimprurëse brenda vitit të parë.
Që atëherë, kompania ka qenë në rritje të vazhdueshme dhe në vitin 2024, ajo regjistroi një xhiro prej mbi 3 milionë eurosh dhe në vitin 2025 arriti në 4.3 milionë euro. Pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga qiratë afatgjata, me fatura mujore që fillojnë nga 160 euro, ndërsa shërbimet për evente individuale variojnë midis 200 dhe 400 eurove.
Sipërmarrësi thekson paradoksin e ndërtimit të kompanisë së tij pranë disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë. Përballë frikës që shkakton inteligjenca artificiale, ai beson se aktiviteti i tij përmbush një nevojë të pashmangshme njerëzore dhe e karakterizon modelin e tij si një biznes me teknologji të ulët që është rezistent ndaj automatizimit.
Tom hyri në këtë industri gjatë studimeve universitare, duke punuar me kohë të pjesshme për një kompani tualetesh portative. Pas shtatë vitesh si menaxher shitjesh, ai vendosi të hapte biznesin e tij dhe sot ai punëson 19 persona, me kostot e pagave që përbëjnë rreth 30% të të ardhurave.
Edhe pse paga e tij vjetore është rreth 120,000 euro, ai deklaron se riinveston pjesën më të madhe të fitimeve në rritjen e kompanisë, duke synuar të arrijë 5,000 njësi dhe 10 milionë euro të ardhura vjetore brenda pesë viteve të ardhshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)