Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar përditësimin e radhës të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku deri më tani janë numëruar 327,567 vota, që përbëjnë mbi 41 për qind të totalit.
Sipas të dhënave zyrtare të përditësuara më 28 dhjetor 2025, në ora 20:29, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me një avantazh të theksuar, duke siguruar 48.79 për qind të votave, apo 154,826 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 19.91 për qind, përkatësisht 63,180 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës mban pozitën e tretë me 13.85 për qind ose 43,952 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë deri tani 7.37 për qind të votave, që përkthehen në 23,390 vota, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 3.70 për qind apo 11,740 vota. NISMA Socialdemokrate mbetet nën pragun zgjedhor me 1.65 për qind të votave, gjithsej 5,233.
KQZ njofton se deri më tani janë përpunuar 1,049 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përfaqësojnë 41.02 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Sipas hartës zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje dominon në shumicën e komunave të Kosovës.
Procesi i numërimit të votave po vazhdon, ndërsa nga KQZ theksojnë se rezultatet janë paraprake dhe mund të ndryshojnë deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar të tyre.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)