Policia e Shtetit dhe partnerët britanikë kanë konfirmuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit strategjik, duke e kthyer task-forcën kundër emigracionit të paligjshëm në një model të suksesshëm ndërinstitucional. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rezultatet në këtë drejtim janë të prekshme.
Në këtë kuadër Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita u takua me zv.ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Julia Sutherland. Në takim u theksua se bashkëpunimi ka sjellë ulje të ndjeshme të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, si dhe goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar.
Drejtori Hita vlerësoi partneritetin e ngushtë me agjencitë britanike, duke theksuar se Policia e Shtetit mbetet një partner i besueshëm në garantimin e sigurisë brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, bashkëpunimi po zgjerohet edhe në fusha të tjera si Policia Shkencore, teknologjia e informacionit dhe kontrolli kufitar, me fokus goditjen e trafikimit të armëve, pastrimit të parave dhe futjes së paligjshme të kapitaleve.
Zv.ambasadorja Sutherland u shpreh se bashkëpunimi do të vijojë të zgjerohet më tej. Ajo e cilësoi punën e bërë si një shembull të shkëmbimit të ekspertizës dhe besimit të ndërsjellë mes dy vendeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)