Në intervistë për median greke “Kathimerini”, kryeministri Edi Rama u ndal te disa çështje pikante, ku më e rëndësishmja është ajo e pronësisë. Biseda specifikoi veçanërisht problematikën në jug të vendit dhe në Himarë. Kreu i qeverisë shqiptare tha se po zhvillohet një proces i gjerë për konsolidimin e kadastrës dhe për pajisjen e qytetarëve me tituj pronësie.
“Ajo që po bëjmë tani është një proces konsolidimi dhe unifikimi të kadastrës. Po u japim tituj pronësie njerëzve në jug të Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe Himarën, pavarësisht origjinës së tyre shqiptare apo greke”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se “problematika e pronave lidhet me një trashëgimi të vështirë historike dhe me gabime të periudhës së tranzicionit”. Rama shtoi se procesi është kompleks dhe ende në vijim: “Megjithatë po ecën përpara, janë me dhjetëra mijëra raste në trajtim. Gjithashtu, Himara ka qenë gjithmonë pjesë e planit tonë turistik, nuk është asgjë e re. Ashtu si pjesa tjetër e vendit, ka parë një rritje të ndjeshme vitet e fundit”.
Kryeministri mohoi kategorikisht pretendimet se ka studiuar në Harvard apo ka marrë bursë nga Greqia. “Nuk kam marrë kurrë bursë për në Harvard dhe nuk kam studiuar kurrë atje. Vetëm e kam vizituar, falë një mikeshës time që punon atje dhe e kam si motër. Ajo është greko-amerikane”, tha ai, duke i cilësuar këto pretendime si dezinformata të pakuptimta.
Rama gjithashtu u ndal te çështja e prejardhjes, duke thënë se nëna e tij e ka origjinën nga Vunoi dhe nuk ka rrënjë greke. Kryeministri është krenar për rrënjët e tij shqiptare. “Në Vuno askush nuk fliste greqisht. Nëse do të kisha rrënjë greke do të isha shumë i lumtur dhe krenar, por nuk i kam. Jam krenar për rrënjët e mia shqiptare,” u shpreh kryeministri.
I pyetur për deklaratat e mëparshme të ish-liderit suprem iranian Ali Khamenei ndaj Shqipërisë, Rama reagoi me tone të ashpra, duke e lidhur çështjen me shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran.
“Nuk kam informacion për parajsën dhe ferrin, por nëse ekzistojnë, shpresoj që ai të kalbet në ferr”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se e thotë këtë “për qindra-mijëra vajza dhe gra iraniane që kanë vuajtur nën atë regjim”. Ai shtoi se Shqipëria nuk ka frikë nga kërcënime të tilla dhe se strehimi i iranianëve që kundërshtojnë regjimin, erdhi në kuadër të marrëveshjeve humanitare.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)