Dështojnë bisedimet Kurti-Abdixhiku për presidentin, kryeministrin fton një tjetër parti opozitare

Është mbyllur pa një marrëveshje takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK, Abdixhiku në lidhje me presidentin e ri.

Burimi: REL

20.04.2026. 16:09

Dështojnë bisedimet Kurti-Abdixhiku për presidentin, kryeministrin fton një tjetër parti opozitare

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri kanë përfunduar pa sukses, duke thelluar paqartësinë politike në vend vetëm pak ditë para afatit kushtetues.

Pas takimit të së hënës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se ofertat e bëra nga LVV nuk janë pranuar nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, mosarritja e një kompromisi rrezikon ta çojë vendin në zgjedhje të reja nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 prill.

Kurti bëri të ditur se i kishte ofruar LDK-së një paketë të gjerë bashkëqeverisëse, që përfshinte postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Në një alternativë tjetër, ai kishte propozuar që LDK të marrë drejtimin e Kuvendit.

“Kam preferuar që Abdixhiku të jetë zëvendësi im, për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi”, tha Kurti, duke shtuar se tashmë ka kontaktuar edhe kreun e PDK-së, Bedri Hamza, për një takim të mundshëm.

Në anën tjetër, Abdixhiku konfirmoi dështimin e bisedimeve dhe bëri të ditur se nuk do të ketë më takime me Kurtin. Ai ritheksoi qëndrimin e LDK-së se një parti e vetme nuk duhet të kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: qeverinë, kuvendin dhe presidencën.

“U përpoqa, por nuk arrita. Tani do t’i rikthehem angazhimit për forcimin e LDK-së dhe bashkimin e së djathtës”, tha ai.

Abdixhiku la të hapur mundësinë e afrimit me ish-presidenten Vjosa Osmani, duke e cilësuar një zhvillim të tillë si pozitiv për vendin.

Aktualisht, asnjë parti nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin, çka e bën të domosdoshëm një konsensus politik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)