Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka cilësuar si “hap prapa” dështimin e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri. Ai vendosi në dukje se në situatën e krijuar, vendi përballet me pasiguri të reja politike.
“Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkruante Terras në një postim në rrjetin social X. Reagimi i tij erdhi pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta përmbyllë brenda afateve ligjore procesin e zgjedhjes së presidentit.
Komentet erdhën edhe pas vendimit të presidentes në detyrë Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin, pasi deputetët nuk e përmbushën detyrimin kushtetues brenda datës 5 mars, ashtu siç e përcakton Kushtetuta, pra 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më datën 4 prill 2026.
Presidentja Osmani e ka konsideruar dështimin si të kalkuluar dhe jo të rastësishëm, duke theksuar se përmes dekretit po përmbush detyrimin kushtetues. Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit u ndërpre për mungesë kuorumi, pasi munguan deputetët e partive opozitare. Kandidatë për President të Kosovës ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nga ana tjetër, partia në pushtet e ka kundërshtuar dekretin e Osmanit, duke e cilësuar si “akt të paprecedent”. Lëvizja Vetëvendosje ka argumentuar se vendi ka afat 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe e ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)