Sulmi në Banjskë, dënohen me burg përjetë dy serbë, 30 vite një i tretë

Ata të tre janë pjesë e një grupi prej 42 personash të akuzuar për sulmin që ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serbësh, fillimisht bllokoi një urë në fshatin Banjskë në komunën e Zveçanit.

24.04.2026. 15:38

Sulmi në Banjskë, dënohen me burg përjetë dy serbë, 30 vite një i tretë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për rastin e sulmit në Banjskë, duke dënuar me burgim të përjetshëm shtetasit serbë Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë, Dushan Maksimoviq, është dënuar me 30 vjet burg. Dy të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk kanë qenë të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit, ndërsa Maksimoviq ka marrë pjesë në seancë.

Ata të tre janë pjesë e një grupi prej 42 personash të akuzuar për sulmin që ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serbësh, fillimisht bllokoi një urë në fshatin Banjskë në komunën e Zveçanit.

Më pas, ata sulmuan zyrtarët policorë që kishin dalë në vendngjarje për të larguar një kamion të vendosur në rrugë. Si pasojë e sulmit, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, qëllimi i grupit ishte destabilizimi i situatës dhe ndarja e veriut nga pjesa tjetër e Kosovës.

Para shpalljes së aktgjykimit, autoritetet kishin ndërmarrë masa të shtuara sigurie, duke vendosur forca të shumta policore rreth ndërtesës së gjykatës në Prishtinë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)