Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë shtetas, përfshirë kryeinspektorin dhe një inspektor të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) Sarandë, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Sipas hetimeve të procedimit penal nr. 416 të vitit 2023, në zonën e Ksamilit, në vendin e njohur si “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në mënyrë të paligjshme në një zonë të mbrojtur, pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.
Kanali i Vivarit është pjesë e Parkut Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre, sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave. Prokuroria thekson se ndërtimi ka cenuar një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore. Nga verifikimet ka rezultuar gjithashtu se punonjësit e IVMT-së së Bashkisë Sarandë nuk kanë zbatuar procedurat ligjore, duke mos konstatuar plotësisht punimet dhe duke mos vendosur masat administrative të parashikuara, përfshirë gjobat.
Njoftimi i Prokurorisë së Sarandës:
U dërguan në gjyq shtetasit
- R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal. “Shpërdorimi i tokës” parashikuar nga neni 199 dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” parashikuar nga neni 202/b i K.Penal;
- Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/4 i K.Penal, “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal;
- Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal; dhe
- Shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)