Mosdhënia e shpërblimit të fundvitit, të akorduar nga qeveria shqiptare, ka sjellë protesta nga personat me aftësi të kufizuar në qytetin e Lezhës.
Që në orët e para të mëngjesit, dhjetëra qytetarë u mblodhën para ambienteve të filialit të Postës Shqiptare, për të kërkuar marrjen e pagesës së premtuar.
Protestuesit shprehen se ndodhen në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se ky shpërblim përbën një ndihmë të domosdoshme për përballimin e shpenzimeve bazë, veçanërisht në prag të festave të ndërrimit të viteve. Sipas tyre, vonesa e pagesës i ka lënë pa mundësi për të siguruar ushqime, ilaçe dhe nevoja të tjera jetike.
Nga ana tjetër, përfaqësues të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë sqarojnë se situata nuk varet prej tyre. Ata bëjnë me dije se fondet për shpërblimin e fundvitit ende nuk janë lëvruar nga Thesari i Shtetit, çka ka shkaktuar vonesën në kryerjen e pagesave.
Sipas Postës, pagesat do të realizohen menjëherë sapo fondet të kalojnë në dispozicion të institucionit, ndërsa protestuesit kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë për këtë situatë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)